402313468_639026748445947_1073468038321184821_n

Procesi i legalizimit të banesave informale të disa familjeve Rome dhe Egjiptiane

Organizata “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) ka kënaqësinë të prezantojë arritjet në lidhje me procesin e legalizimit të banesave informale të deklaruara në vitet 2005 -2006. Ky është një problem i përhapur në Shqipëri, pasi në të kaluarën në mungesë të legjislacionit të duhur familjet i ndërtuan banesat e tyre në vendet që mundën. Edhe pse qeveria shqiptare ka filluar të ndërmarrë hapa seriozë drejt legalizimit të këtyre objekteve, procesi ka hasur në pengesa të vazhdueshme në lidhje me regjistrimin teknik në sistemin e kadastrës.

Kur bëhet fjalë për komunitetet Rome dhe Egjiptiane, ato shpesh ballafaqohen edhe me probleme shtesë si: mungesa e informacionit, diskriminimi i vazhdueshëm dhe pengesat burokratike në institucionet publike.

LRER është përpjekur fillimisht në mënyrë të vazhdueshme të informojë dhe rrisë kapacitetet e familjeve rreth ligjit dhe procedurës administrative për ndjekjen e procesit të legalizimit.

Gjithçka nisi me identifikimin e familjeve që kishin nevojë për asistencë juridike në hartimin e kërkesave dhe plotësimin e dokumentave të nevojshme. Familjet Kallku dhe Zerellari ishin ndër të parat që morën këtë lloj asistence. Të dyja familjet deklaruan se shtëpitë e tyre u ndërtuan me shumë sakrifica dhe se e kanë pritur për procesin e legalizimit që nga viti 2005.

Anëtarët e familjes Kallku theksuan se familjet që i përkasin këtyre komuniteteve shpesh ndihen të përjashtuar nga shoqëria për shkak të nivelit të ulët arsimor, të ardhurave të ulëta mujore dhe papunësisë. Gjithashtu, Xhevit Zerellari u shpreh se LRER ka shoqëruar dhe përfaqësuar familjet në cdo takim të zhvilluar me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Elbasan. Të njëjtat hapa janë ndjekur dhe krye për disa familje të tjera.

Ndihma sociale është burimi i vetëm i të ardhurave që marrim dhe kjo shtëpi është jeta ime,” shtoi Zerellari. Si përgjigje ndaj kërkesave të tilla, stafi i  Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Elbasan kontaktoi Lëvizjen Rinore Egjiptiane dhe Rome për të lehtësuar procesin dhe vazhduar me matjet e apartamenteve. Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, disa familje arritën të marrin certifikatat e tyre të pronësisë. Megjithatë, ende ka shumë familje që po presin që dosjet e tyre të rishikohen dhe shpresojmë që ato do të jenë në gjendje t’i marrin brenda afateve të caktuara.

Procesi i legalizimit të banesave informale të disa familjeve Rome dhe Egjiptiane