Screenshot 2024-01-19 151516

Qendra për Drejtësi Gjinore: Udhëzues për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje

Punonjësit e njësive administrative kanë një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, minimizimin e pasojave të saj apo parandalimin e rasteve të femicidit në vend.

Për shkak të ndërveprimit të përditshëm me komunitetin, punonjësit e njësive administrative janë shpesh personat e parë që kanë kontakt me viktimat e dhunës në familje dhe për këtë arsye është e nevojshme të zotërojnë kapacitetet e duhura për të evidentuar treguesit e dhunës në familje, të kryejnë menaxhimin e rasteve dhe t’i referojnë pranë institucioneve përkatëse ofrues të shërbimeve sipas nevojave dhe specifikave të rasteve.

Bazuar në ligjin 121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, strukturat që duhet të ngrihen e të funksionojnë në nivel bashkie për asistimin e grupeve në nevojë, janë: a) strukturat përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në bashki; b) njësitë e vlerësimit të nevojave dhe referimit (NjVNR), të krijuara në nivelin e njësive administrative. Këto të fundit i vijnë në ndihmë të gjithë grupeve vulnerabël në territorin ku operojnë dhe janë posaçërisht të rëndsishme në menaxhimin e rasteve të dhunës në familje pasi ligjërisht janë struktura zbatuese të politikave sociale lokale e kombëtare duke ofruar shërbime të drejtpërdrejta për individët në nevojë. Edhe pse është detyrim ligjor dhe ligji është miratur prej vitit 2016, NjVNR nuk janë ngritur në çdo bashki. Deri tani, kjo strukturë është ngritur kryesisht në bashkitë e mëdha të vendit dhe kjo ka ndodhur gjatë viteve të fundit. Duke qenë se janë struktura të reja, punonjësit socialë të NjVNR kanë nevojë për udhëzim dhe orientim në punën e tyre me viktimat e dhunës në familje.

Ky dokument është formuluar në mënyrë të tillë që të jetë një ndihmë praktike në punën e NjVNR për të trajtuar në mënyrë efektive rastet e dhunës në familje. Kryerja e punës me efektivitet kërkon domosdoshmërisht njohuri shumë të mira të legjislacionit në fushë pasi çdo veprim në mbrojtje të viktimave duhet të kryhet në përputhje të plotë me parashikimet legjislative. Për këtë arsye, një pjesë shumë e rëndësishme e këtij udhëzuesi i dedikohet parashikimeve ligjore lidhur me dhunën në familje.

Subjekt i dhunës në familje mund të jetë çdo person pavarësisht nga mosha, statusi socio-ekonomik, niveli i arsimimit, gjendja familjare apo martesore dhe padyshim, pavarësisht nga gjinia. Por, nuk mund të mohojmë faktin se gratë janë shumë më tepër të rrezikuara nga dhuna në familje dhe dinamikat e abuzimit janë të ndryshme krahasuar me burrat. Studimet në nivel global tregojnë se rreth 90% të subjekteve të dhunës në familje janë gra dhe vajza. Për më tepër, gratë janë më të rrezikuara nga vrasjet midis partnerëve intimë se sa burrat. Për këto arsye, ky udhëzues i referohet kryesisht dhunës në familje të ushtruar nga burrat mbi gratë.

Krahasuar me grupet e tjera vulnerabël që NjVNR asiston, viktimat e dhunës në familje mbartin ne vetvete rrezik për shëndetin, sigurinë dhe jetën që mund të shkaktohet nga një person tjetër. Kjo ka bërë që çështje të trajtuara me prioritet në këtë udhëzues të jenë identifikimi i faktorëve të riskut dhe vlerësimi i riskut.

Qendra për Drejtësi Gjinore: Udhëzues për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje

Tags: No tags