Screenshot 2024-01-22 121951

Qendra Fokus: Manuali Trajnimi “Dhuna ndaj fëmijëve dhe të rinjve, ndikimi i rrjeteve sociale.”

Në çdo shoqëri sjellja e prindërve dhe e të rriturve ndaj fëmijëve përcaktohet nga ligjet në fuqi, nga kodi moral mbizotërues i shoqërisë, si dhe normat e sjelljet që ajo shoqëri respekton. Në këtë sfond përcaktohen dhe kufijtë e një sjelljeje të pranueshme apo jo ndaj fëmijëve. Numri i fëmijëve të trajtuar me Urdhër Mbrojtje në Gjykatë si viktima të dhunës në familje për vitin 2021 ka qenë 612 (288 meshkuj dhe 324 femra). Sipas një studimi të BECAN-it (Studimi Epidemiologjik Ballkanik mbi Abuzimin dhe Neglizhimin e Fëmijëve), në Shqipëri rreth 12% e fëmijëve janë viktima të ngacmimeve seksuale dhe rreth 5% e tyre janë viktima të abuzimit seksual.

Prindërit, kujdestarët, arsimtarët dhe anëtarët e komunitetit, përfshirë drejtuesit e komunitetit dhe aktorët e shoqërisë civile, kanë përgjegjësinë të ushqejnë dhe mbështesin fëmijët dhe të rinjtë gjatë kalimit të tyre në moshën e rritur. Pandemia ndryshoi situatat familjare në shumë mënyra. Ndërsa më shumë se 55 milionë studentë kaluan në mësimin virtual, kjo metodë mësimdhënie e bëri më të vështirë për mësuesit të identifikonin abuzimet e mundshme. Edukatorët janë shpesh të parët që zbulojnë dhe raportojnë problemet e mundshme. Një nga faktorët që ndikon në ushtrimin e dhunës nga nxënësit është ekspozimi direkt ndaj dhunës qoftë edhe përmes video-lojërave apo televizionit. Një faktor tjetër i rëndësishëm i cili e nxit dhunën nëpër shkolla, është toleranca shoqërore ndaj fenomenit të dhunës. Mbetemi ende shoqëri tradicionale, e cila bazohet në zgjidhjen e problemeve përmes forcës.

Ata që abuzojnë me fëmijët janë persona të besuar/ të afërt për ta: prindër, kushërinj, mësues, miq të ngushtë të familjes. Të folurit rreth abuzimit seksual i mëson fëmijët për mekanizmat vetëmbrojtjës dhe të dinë ku të kërkojnë ndihmë. Një nga shenjat e abuzimit është izolimi dhe mungesa e dëshirës për të folur për sa ka ndodhur. Studimet provojnë se një fëmijë i abuzuar që nuk merr shërbimet për të cilat ka nevojë në kohën e duhur ka më shumë gjasa të vuajë pasojat në një kohë më të gjatë.

Pavarësisht nga përfitimet e thella të internetit, fëmijët dhe të rinjtë mund të hasin një numër rreziqesh. Ata mund të ekspozohen ndaj përmbajtjes së papërshtatshme për moshën ose kontakteve të papërshtatshme, duke përfshirë kryerësit e mundshëm të abuzimit seksual. Ata gjithashtu përballen me rreziqe që lidhen me privatësinë në internet që rrjedhin nga mbledhja e të dhënave, dhe mbledhja dhe përdorimi i informacionit për vendndodhjen.

Mbështetja psikosociale është mbështetje që ndihmon fëmijët, familjet dhe komunitetet për të përballuar krizën dhe për të përforcuar ose rifituar zhvillim psiko-social të shëndetshëm dhe elasticitet përballë rrethanave sfiduese. Këshillimi psikosocial është një shërbim i ofruar nga një këshillues profesionist për një individ, familje apo grup me qëllim përmirësimin e mirëqenies, lehtësimin e stresit dhe zgjerimin e aftësive të përballimit. Shërbimet e këshillimit psikosocial zakonisht përfshijnë dallimin (screening), vlerësimin psikosocial, ndërhyrjen këshilluese bazuar në një plan të shërbimit të këshillimit dhe ndjekjen paskëshillim.

Këshilluesit psikosocial ndihmojnë aktorët e mbrojtjes së fëmijëve dhe komunitetin në identifikimin e fëmijëve që kanë nevojë për këshillim dhe që duhet të përfitojnë nga ndërhyrjet këshilluese dhe   këshillimin për fëmijët me probleme (psikosociale), brenda kontekstit të normave sociale dhe kulturore dhe traditave.

Manuali ofron udhëzime, informacion dhe burime për të ndihmuar profesionistët të adresojnë dhe të kuptojnë ndikimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht duke marrë në konsideratë rolin e rrjeteve sociale në formimin e këtyre sjelljeve.

Lexoni dokumentin e plotë këtu: Dhuna ndaj fëmijëve dhe të rinjve, ndikimi i rrjeteve sociale.”

 

 

Tags: No tags