Screenshot 2024-01-15 121804

Roma Versitas Kosovo: “Siguria kibernetike për sigurinë njerëzore”

Partneri ynë Roma Versitas Kosovo, prezanton videon “Siguria kibernetike për sigurinë njerëzore”, e cila përfshin masat dhe praktikat për të mbrojtur individët dhe mirëqenien e tyre në botën digjitale. Kjo përfshin mbrojtjen e të dhënave personale, parandalimin e hyrjeve të paautorizuara në sisteme, dhe zvogëlimin e rreziqeve dhe dëmeve që mund të shkaktohen nga sulmet kibernetike.

Kur flitet për komunitetet dhe rininë në Kosovë  bëhet me dije se janë raportuar mbi 18,000 çështje të ndryshme lidhur me keqperdorimin e rrjeteve sociale, duke çuar në probleme ligjore. Gjtihashtu janë bërë arrestime për shpërndarjen e materialeve të rreme dhe të nxitura nga urrejtja, fotografi të paautorizuara, mashtrime dhe përmbajtje pornografike. Janë raportuar gjithashtu akte dhune e kërcënime përmes mesazheve dhe postimeve, duke theksuar nevojën urgjente për masa mbrojtëse.

 

Adriana Gashi, gazetare investigative, ndan pikëpamjen e saj: “Unë i përdor shumë rrjetet sociale në punën time të përditshme. Ato kanë qenë një ndihmë e madhe për të zbuluar lidhjet familjare dhe rastet e mundshme të nepotizmit brenda partive politike. Kujdesi më i madh duhet ndaj fëmijëve, të cilët nuk janë të sigurt në ambientin online. Rreziqet që ata mund të hasin përfshijnë ekspozimin ndaj përmbajtjes së papërshtatshme, bullizmin online, kërcënimet, vjedhjen e identitetit dhe aktivitete të tjera të dëmshme. Statistikat janë alarmante, pasi shumë prej tyre shprehen se takohen me individë të panjohur.”

Në fushën ligjore, avokati Labinot Vata e vë theksin në denoncimin e rasteve të mashtrimit dhe kërcënimeve që bëhen në rrjetet sociale tek policia. Ai shtoi pakicat edhe pse janë përdorues të internetit shpesh refuzojnë të raportojnë.

Tanzer Abazi, ekspert i sigurisë kibernetike, shprehet: “Interneti është një xhungël e viruseve kibernetike. Ka elemente kyç për mbrojtje si pranimi i një qasjeje ‘zero trust’, që do të thotë mosbesimi te çdo entitet në internet, sigurimi i përditësimeve të rregullta të aplikacioneve, dhe në fund, ndjekja e parimeve dhe procedurave.”

Mihane Fetahu, psikologe, bën të ditur se prindërit duhet të krijojnë një mjedis ku fëmijët ndihen rehat për të diskutuar përvojat e tyre online. Vendosja e kufijve të përshtatshëm sipas moshës, monitorimi i veprimtarive online dhe përdorimi i kontrolleve prindërore janë hapa të rëndësishëm për të udhëhequr përdorimin e internetit të tyre.

 

Avni Mustafa nga Roma Versitas Kosovo ka deklaruar se është shqetësues fakti që komuniteti rom e kufizon prezencën online vetëm te përdorimi I Facebook dhe nuk janë të informuar për përdorimin më të gjerë të internetit.

Historitë nga Kosova ilustrojnë nevojën e menjëhershme për ndërgjegjësim, edukim dhe përpjekje bashkëpunuese për të siguruar lundrim të sigurt në botën kibernetike, veçanërisht për rininë dhe komunitetet e ndryshme.

Videon e plotë mund ta gjeni këtu: “Siguria kibernetike për sigurinë njerëzore”

Tags: No tags