vatra

Qendra Psiko-Sociale Vatra “Mbrojmë viktimën, dënim maksimal përdhunuesve”

“…Që nga momenti i parë që dëgjova lajmin në portalet mediadike, për abuzimin seksual të një vajze, mendova që duhet të bëjmë diçka si shoqëri, për të kërkuar mbrojtjen e viktimës. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe…Qendra Vatra ishte në pararojë të punës për mbrojtjen e vajzës dhe kërkesën për të vendosur drejtësi në emër të saj, por edhe të dhjetra vajzave dhe grave që gjenden në situata abuzimi dhe shfrytëzimi… Në mediat sociale të Vatrës (të cilën unë e ndjek, për shkak të aktivizmit tim), u njoha me përpjekjet që Vatra dhe organizata të tjera në Shqipëri, ishin bashkuar për të kërkuar drejtësi, mbrojte dhe solidaritet. Edhe unë iu bashkova stafit të Vatrës për të protestuar…” M.N (aktiviste)

Dëshmia e aktivistes së Vatrës, është njëra prej dhjetra zërave të ngritur që prej 23 Tetorit 2023, kur Vatra është përfshirë në aktivitete advokuese dhe reagime publike për të mundësuar mbrojtjen e një vajze, të abuzuar seksualisht në qytetin e Vlorës, nga një grup dhunuesish. Menjëherë pas ngjarjes, Vatra është angazhuar në nxitjen e funksionimit të menjëhershëm të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit për marrjen e masave mbrojtëse.

Përveç angazhimit institucional, Vatra u angazhua në ngritjen e zërave të dhjetra aktivistëve, organizatave, anëtarëve të rrjeteve e koalicioneve ku bën pjesë, që të shumfishojë reagimin publik, t’i japë zë jo vetëm asaj vajze, por edhe gjithë atyre vajzave që janë pre e dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit. Protesta e paralajmëruar nga Vatra dhe organizatat partnere, në mediat sociale me sloganin “Mbrojmë viktimën, dënim maksimal përdhunuesve” u zhvillua me datë 02 Nëntor 2023 me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, aktivistëve të shoqërisë civile, përfaqësuesve të medias. Vatra dhe partnerët iu drejtuan Prokurorisë për marrjen e masave mbrojtëse për viktimën; kryerjen e hetimit të veprës penale, përfshirë hetimin e masave të mbrojtjes, si edhe dënimin maksimal të autorëve të krimit.

 “…. Kërkojmë drejtësi për viktimën, kërkojmë që institucionet e zbatimit të të ligjit të zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare… Kemi shprese tek ju këtë herë!” (anëtare e shoqërisë civile).

“Ka ardhur koha të ndryshojmë mentalitet, duhet të edukojmë të rinjtë, jo vetëm që të mos përfshihen në situta dhune e abuzimi, por t’i dënojnë ato, të mos qëndrojnë indiferentë! “(anëtar i shoqërisë civile)*

Dy ditë pas protestës, u mësua nga autoritetet e zbatimit të ligjit, se si rrjedhojë e hetimit të masave mbrojtëse, masa u morën për disa shkelje të ndodhura për mbrojtjen e këtij rasti.

Tags: No tags