GERMIN: “Angazhimi i Diasporës për Avancimin e Politikëbërjes në Kosovë”

Ne 13 dhjetor, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin të Gjermanisë, Germin ka mbajtur një takim me një pjesë të komunitetit të diasporës shqiptare në Gjermani, për të diskutuar lidhur me kontributin e tyre potencial në zhvillimin e politikave në Kosovë, si dhe nevojat dhe sfidat e tyre për t’u lidhur e angazhuar me institucionet shtetërore.
Me fjalë hyrëse në këtë takim të pranishmëve ju drejtuan: Z. Faruk Ajeti, Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin dhe Blerta Lazebegu, Kryetare e Organizatës së Akademive dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare (OASA) në Berlin. Ndërkaq, Lirim Krasniqi, Bashkë-Drejtor Ekzekutiv në Germin, informoi të pranishmit mbi qëllimin e projektit “Diaspora për Zhvillimin e Politikave”.
Gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit ndanë opinionet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me strategjinë dhe ligjin e ri për diasporën, të cilin Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pritet ta publikoj për konsultim publik së shpejti. Disa nga sfidat kryesore që u theksuan gjatë bisedës ishin pengesat dhe mundësitë për mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, mungesat organizative të shoqatave në diasporë, si dhe proceset burokratike për investime dhe angazhim ekonomik në Kosovë. Regjistrimi i diasporës ishte një temë tjetër që u diskutua në këtë takim.
Përmbledhja e këtyre diskutimeve dhe analizave do të analizohet tutje dhe do të avokohet tek Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës, për përfshirjen e zërave të diasporës në strategjinë dhe ligjin e ri.
Tags: No tags