murali

“Fragmente Utopike”

Projekti “Fragmente Utopike” ashtu sikurse edhe tema e caktuar e Mural Fest Kosova për vitin 2023, i kushtohet 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizaj. E gjitha nisi me vendosjen e panos në qendër të qytetit gjatë periudhës që mbahej Festivali i Muraleve në Ferizaj, ku qytetarët ju përgjigjën pyetjes “Si e sheh qytetin ideal?

Fillimisht, ky shkrim tërhoqi shikime të shpejta dhe hapi pas hapi, individë të të gjitha moshave filluan të përshkruajnë qytetin e tyre ideal. Mbi 60% e shkrimeve theksuan mungesën e hapësirave publike nevojën që qyteti ka të frymojë dhe qytetarët të kenë mundësi të dalin e kalojnë kohë me fëmijët e tyre.

Antika Veseli, autore e murali e nisi udhëtimin e saj si një vullnetare e pasionuar për artin. Më parë, ajo ka punuar si asistente e artistëve ndërkombëtarë ndërsa sot Antika si një artiste e re me vizion po i jep më shumë ngjyra qytetit të saj.

“Një qytet ideal, një qytet utopik, janë ëndrra dhe ide që nuk ndalen, pavarësisht gjithçkaje që po ndodh në botë. Për çdo mënyrë që do të përfundojë, rezultojmë gjithmonë te njeriu dhe natyra, një lidhje që do të mbetet një burim i pashmangshëm i frymëzimit dhe e  pamohueshme jashtë çdo gjëje. Si e shoh qytetin tim ideal, shpalos vizionin tim me një ilustrim të asaj që ndjej dhe mendoj. Ndërtesat sjellin në vëmendje krijimtarinë njerëzore, ndërsa njeriu vetë natyrën, duke i afruar këto dy në të njëjtën mënyrë siç vepron koha. Një atmosferë e mbuluar me gjelbërim dhe një e kaltër që e përqafon atë, dëshmon gjurmët e natyrës dhe vetë jetës”

Murali është punuar në muret e njërës prej shkollave e mesme të Ferizajt, ku për ironi ajo më parë rrethohej me gjelbërim ndërsa tani po gllabërohet nga ndërtimet e larta. Por, ky mural do të jetë aty t’u përkujtojë brezave të ardhshëm që nuk duhet të përsëritet e njejta mendësi dhe se kemi nevojë për natyrë, diell dhe hapësira socializimi.  Qyteti i përket qytetarëve!