Organizer

IDM

Date

Jun 15 2023
Expired!

Time

10:00 am - 1:30 pm

Konferenca e Dytë Kombëtare e projektit SMART Balkans për Shqipërinë

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka kënaqësinë t’ju ftojë në Konferencën Kombëtare “Ri-marrim hapësirën e uzurpuar civile”, një iniciativë e qytetarëve të angazhuar, gazetarë, aktivistë (virtualë dhe jo vetëm) nga fushat e artit, medias, shoqëria civile, rrethet akademike dhe studentët. Aktiviteti do të zhvillohet ditën e enjte, datë 15 qershor 2023, nga ora 10:00 në ambientet e Tirana International Hotel.

Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar regres të fortë sa i përket lirisë së shprehjes dhe hapësira civile ka shfaqur qartësisht tendencën e tkurrjes. Aktorë të ndryshëm si organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë, gazetarë, komuniteti i artistëve, studentët, grupe jo-formale, grupime të ndryshme komunitare dhe aktivistë të hapësirës virtuale në rrjetet sociale kanë vërejtur këtë regres dhe kanë artikuluar individualisht apo edhe si komunitete shqetësimin dhe protestën e tyre ndaj kësaj situate. Veçanërisht aktive ka qenë periudha 2018 – 2020 kur një sërë protestash shpërthyen në të gjithë vendin si protesta e banorëve të Kukësit, protestave për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, protesta e naftëtarëve të Ballshit, dhjetëra protesta kundër ndërtimit të HEC-eve në zona të mbrojtura, protestat e studentëve etj. Megjithatë, përtej jehonës dhe shpresës që zgjuan tek qytetarët, secila prej ketyre protestave u zhvillua e izoluar dhe me një koordinim të kufizuar tek me aktorë të tjerë të hapësirës civile (virtuale dhe asaj reale) çka e ka bërë më të lehtë dekurajimin, fragmentarizimin dhe minimizimin e ndikimit të tyre.

Secili prej këtyre grupeve të hapësirës civile përballen me sfida të ndryshme si pasojë e kufizimit të lirisë, por nga ana tjetër ata shfaqin edhe një sërë avantazhesh konkuruese dhe aftësish komplementare me njëri-tjetrin, vënia në përdorim e të cilave mund të çlironte jo vetëm energji të reja, por me gjasë edhe një pjesë të lirisë dhe hapësirës së zaptuar civile prej interesave të ngushta politike, grupimeve me interesa jo-legjitime ekonomike, institucioneve të kapura dhe aktorëve të tjerë që dëmtojnë interesin publik. Pikërisht për këtë qëllim, kjo konferencë synon të bëjë bashkë aktivistë, organizata të shoqërisë civile dhe grupe komunitare, studentë dhe të rinj, artistët, gazetarët, aktivistët e hapësirës virtuale, si edhe qëndrestarë të tjerë të hapësirës civile dhe lirisë së shprehjes.

Programi i konferencës do të përfshijë panele diskutimi mbi ndërtimin e një platforme të përbashkët veprimi për fuqizimin e njëri-tjetrit, rritjen e sinergjisë, zgjerimin e hapësirës civile dhe mundësive për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje për mbrojtjen e interesit publik. Aktiviteti gjithashtu do të ofrojë mundësi shkëmbimi përvojash dhe rrjetëzimi për të gjithë pjesëmarrësit.

Konferenca do të mbahet në gjuhën shqipe dhe do të sigurohet pëkthim në anglisht.

The event is finished.

Shopping Basket