ACQJ: SI U MENAXHUA NGA INSTITUCIONET SHQIPTARE MBËSHTETJA E BE-SË PREJ 79 MILION EURO PËR REFORMËN NË DREJTËSI

Autor: Ermal Spahiu

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë kushti i përhershëm dhe më i rëndësishëm i Brukselit për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Raportet e KE-së e kanë renditur vazhdimisht Shqipërinë, në krye të listës së vendeve me nivel të lartë korrupsioni në qeverisje dhe sistemin e drejtësisë. Njëherësh, lufta kundër korrupsionit është pikë e parë në çdo platformë elektorale të partive politike në kohë fushate, ndërsa më pas, në qeverisje ajo harrohet.

Në vitin 2016, u miratua Reforma në Drejtësi me një votim unanim prej 140 votash në kuvendin e Shqipërisë për t’i hapur rrugë një procesi shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Më shumë se sa dëshira apo vullneti i faktorit politik shqiptar, kjo reformë ishte rezultat i padiskutueshëm i presionit të vazhdueshëm të partnerëve strategjikë të Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së. Mbështetja thelbësore nisi me hartimin, miratimin dhe më pas zbatimin e reformës në drejtësi.

Në këtë material jemi përpjekur të bëjmë një analizë të mbështetjes financiare që i ka dhënë Bashkimi Evropian Shqipërisë, përgjatë tetë viteve të ecurisë së reformës në drejtësi, si dhe rezultatet që kanë ardhur deri tani prej saj.

Mbështetja financiare e BE-së ka nisur menjëhërë pas miratimit të reformës në drejtësi në vitin 2016 dhe është duke vijuar me projekte të rëndësishme, që prekin sektorë specifikë të reformës në drejtësi.

Bashkimi Evropian ka akorduar miliona euro në sektorët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, prej nga priten rezultate konkrete në reformën në drejtësi.

Ministria e drejtësisë ka thënë për ACQJ (Albanian Center for Quality Journalism), se BE ka akorduar 79.06 milion euro për zbatimin e reformës në drejtësi nga viti 2016 deri tani. Tabela më poshtë na njeh me projektet ku janë akorduar këto fonde.

Grantet e BE për zbatimin e reformës në drejtësi nga 2016 deri më sot

Delegacioni i BE-së sqaron gjithashtu, se është në kontakt me autoritetet shqiptare me synimin për të nisur në muajt e ardhshëm një projekt të ri për të mbështetur institucionet e drejtësisë në ngritjen e një Sistemi Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, ku kontributi është planifikuar të jetë 7.5 milionë euro.

“Sundimi i ligjit dhe të drejtave themelore”, ishte një prej programeve me vlerë financiare prej 34 milione euro, që shtrihej në periudhën kohore 2019-2023. Grandi i dhënë nga Bashkimi Evropian kishte si qëllim rezultate me rëndësi në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, aryset themelore për të cilën u miratua Reforma në Drejtësi në Shqipëri. Ky grand do të alokohej në disa institucione ku përfshihen: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Qeverisja e Institucioneve Gjyqësore.

Projekti do të duhej të kishte përfunduar në janar të vitit 2023. Në përfundim të këtij projekti do të duhej të kishim rezultate konkrete në disa fusha.

Por çfarë është arritur deri tani falë këtij bashkëpunimi, kësaj mbështetje të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri? Sipas ministrisë së drejtësisë, rezultatet e deritanishme falë mbështetjes së BE-së janë shumë pozitive. Për ACQJ, Ministria e Drejtësisë sqaron se prej 4 vitesh, nga data e nënshkrimit në korrik 2019, deri në dhjetor 2022, janë disbursuar 19.5 milion euro, ndërsa nga BE u propozua zgjatja e kontratës për vitin 2023. Tre indikatorët e propozuar janë:

  • Indikatori 2: Përmirësimi i përpunimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve (ILD)
  • Indikatori 5: Rritja e efikasitetit te funksionimit të Gjykatës së Lartë (GJL)
  • Indikatori 7: Përmirësimi i Shërbimeve të Ndërmjetësimit (Gjykata Durrës dhe DHKN)

“Vlera për zgjatjen e Kontratës Sektoriale “BE për Reformën në Drejtësi” është në total 5 milion euro”, thekson Ministria e Drejtësisë në përgjigjen për ACQJ.

Ministria e Drejtësisë sqaron gjithashtu, se janë arritur thuajse të gjitha rezultatet sipas zërave.

REZULTATET E ARRITURA NGA MBËSHTETJA E BE-SË

BE-ja e mbështet rezultatin e këtij projekti në raportin që vjen nga Ministria e Drejtësisë, por ka edhe mekanizmat e saj për të matur performancën.

“Mbështetja e BE-së përfshin shtatë tregues të performancës, secili prej tyre i vlerësuar në baza vjetore. Vlerësimi është bazuar në të dhënat zyrtare të siguruara nga raportet vjetore të institucioneve përkatëse, një raport i konsoliduar nga partneri zbatues (në këtë rast Ministria e Drejtësisë me kontribut nga institucionet gjyqësore) dhe një vlerësim i pavarur nga ekspertë të kontraktuar drejtpërdrejt nga BE-ja. Së fundi, një vlerësim i pavarur i operacioneve të mbështetjes buxhetore kryhet më pas nga Komisioni Evropian pasi të përfundojnë programet”, sqaron zyra e delegacionit të BE-së.

Gledis Gjipali, drejtues i “Lëvizjes Evropiane”, EMA , thotë se BE-ja ka dhënë një mbështetje të madhe për procesin e integrimit, e në veçanti për reformën në drejtësi. Ai flet për rezultate pozitive në procesin e deritanishëm, por edhe për problematika që lidhen me vonesat nga ana e institucioneve shqiptare.

“Mendoj se rezultatet janë pozitive, elementi teknik ka ndihmuar që të kemi një rishikim e hartim të një numri të lartë të akteve ligjore, ndërsa përsa i përket vonesave, kryesisht kanë ardhur nga politika dhe mungesa e kapaciteteve të brendshme njerëzore” thotë Gjipali.

Në përgjigje të pyetjes nëse mund të jenë ndeshur probleme me menaxhimin e grandeve të BE-së për reformën në drejtësi, delegacioni sqaron: Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë në reformimin dhe modernizimin e sistemit të saj gjyqësor nëpërmjet transfertave të drejtpërdrejta financiare në thesarin kombëtar. Këto transferta nuk janë automatike. Ato ndodhin pasi qeveria shqiptare të ketë përmbushur disa kushte specifike, të cilat janë rënë dakord paraprakisht dhe që lidhen me një vlerësim të rregullt të performancës, përfshijnë një dialog për politikat dhe përfshijnë gjithashtu masa për ngritjen e kapaciteteve.

MINISTRIA E DREJTËSISË FLET GJITHASHTU PËR PROBLEMATIKËN NË MENAXHIMIN E FONDEVE TË BE-SË.

Në përgjigje të pyetjes së ACQJ-së, “A keni ndeshur problematika të menaxhimit të fondeve në të gjitha programet e mbështetjes nga BE-ja, të ngjashme me ato të programit IPARD-it për bujqësinë?”, Ministria e Drejtësisë përgjigjet kështu: Duke qenë se kemi të bëjmë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe pjesa më e madhe e menaxhimit të fondeve ka qenë kundrejt institucioneve të reja të ngritura nga Reforma në Drejtësi, kjo ka sjellë vështirësi për t’i menaxhuar fondet nga Ministria e Drejtësisë si institucion përgjegjës për zbatimin e reformës. Megjithatë, fakti që disbursimet janë kryer, shërben si një tregues i bashkëpunimit të frytshëm në këtë aspekt”.

MINISTRIA E FINANCAVE SI NJË NDËR INSTITUCIONET E RËNDËSISHME TË MENAXHIMIT TË FONDEVE TË BE-SË PËR REFORMËN NË DREJTËSI, SQARON SE NUK KA PASUR PROBLEMATIKA TË MENAXHIMIT, POR KA DISA PENEGESA.

Pas miratimit në vitin 2016, Reforma në Drejtësi parashikohej të realizohej me një buxhet prej rreth 175 milionë euro deri në vitin 2020. Kostot dukeshin modeste në vitet e para të zbatimit të reformës, por kjo lidhej me vonesat në plotësimin me staf të organeve të reja të drejtësisë. Gjatë vitit 2019 kostot erdhën në rritje të vazhdueshme, pasi ishte periudha kur po ngrihej struktura e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, SPAK.

Për planveprimin në zbatim të Strategjisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për periudhën 2023-2025, pritet që Qeveria të alokojë një fond prej thuajse 100 milionë euro për përmbushjen e objektivave. Sipas planveprimit, parashikohet që kostoja totale e vijimit të reformës në drejtësi të shkojë në 96 milionë euro për periudhën 2023-2025. Nga kjo shumë, 10 milionë euro pritet të sigurohen nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që 86 milionë euro parashikohet të alokohen nga buxheti i shtetit.

Sipas ekspertëve, reforma në sistemin e drejtësisë është reforma më e rëndësishme, që ka sjellë rezultate pozitive dhe të prekshme.

“Reforma i gjeti institucionet shqiptare të papërgatitura, pasi nuk ofruan zgjidhje për mijëra dosje të tej-vonuara në sistemin gjyqësor. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar për mijëra shqiptarë. Individë dhe biznese, me të drejtë kërkojnë efektin e reformës në drejtësi në problemet e tyre, prej dekadash. Për pjesën e reformës që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka efekte konkrete pozitive. Sfidat mbeten ende të mëdha dhe të vështira”, thotë Arben Malaj, ekspert i ekonomisë, ish ministër i financave.

Mbështetja ndaj reformës në drejtësi sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, ka pasur rezultate që kanë çuar në një përmirësim të lehtë të besimit të publikut ndaj drejtësisë në tërësi.

Selami Xhepa, flet gjithashtu me optimizëm për rezultatet e deritanishme të reformës në drejtësi. “Fakti që kemi parë raste të personave shumë të rëndësishëm në politikë si: kryetarë bashkish, ministra, zëvendës kryeministra, një ish kryeministër, i cili është gjithashtu në përballje me SPAK, pra gjykuar nga rastet që SPAK-u ka marrë në konsideratë gjatë viteve të fundit, mendoj që na jep shpresë dhe optimizëm që kjo reformë do të ketë sukses”, thotë Selami Xhepa.

“Në raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, në 2 vitet e fundit është shprehur qartë vlersimi pozitiv për sistemin e drejtësisë dhe fusha të tjera të lidhura me reformën”, thotë Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizja Evropiane.

Për herë të parë gjatë periudhës së procesit të integrimit në BE prej më tepër se 20 vitesh, Shqipëria ndodhet në situatën më të favorshme se të gjithë vendet e tjera te Ballkanit. Në këtë situatë ndikojnë edhe çështje të tjera jashtë vullnetit e kapaciteteve të Shqipërisë, por Reforma në Drejtësi mbetet arritja më e madhe e vendit në këtë proces.

Tags: No tags