ACQJ: TË INFORMOJMË SAKTË SHQIPËRINË: ROLI I MEDIAS NË RRUGËN DREJT BE

Roli i mediave në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është thelbësor, pasi ndikon në mendimin e publikut dhe formon narrativën. Renditja e lirisësëmediave në Shqipëri mbetet e ulët, me shqetësime në lidhje me interesat politike dhe biznesore që ndikojnë në pavarësinë e mediave. Mungesa e transparencës në financimin e mediave dhe kushtet e vështira të punës për gazetarët janë çështje të vazhdueshme. Me hyrjen e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE, peizazhi mediatik duhet të pësojë ndryshime për të përputhur me standardet evropiane. Sfidat përfshijnë trajtimin e përqëndrimit të pronësisë së mediave, rregullimin e tregut të mediave online dhe përmirësimin e besueshmërisë së mediave.

Autore: Ina Allkanjari

Për Shqipërinë dhe shqiptarët anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet qëllimi kryesor dhe i pakushtëzuar, në një rrugëtim që vazhdon prej disa dekadash, dhe shpeshherë i ndikuar nga ritmi dhe agjenda e partive politike në vend. Pasi mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, u deshën rreth 8 vite për të filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim, që u hapën në Korrik të vitit 2022 në Tiranë.

Situata e anëtarësimit të Shqipërisë në BE krijoi konfuzion në opinionin publik, ku nga njëra anë ishte propaganda qeveritare që zotohej që në 2018 se negociatat ishin hapur dhe nga ana tjetër kundërshtia opozitare që fliste për kushte të shtuara nga viti në vit për vendin tonë.

Ajo që u reflektua në media ishte brishtësia e politikës editoriale dhe ndikimit që politika ka, duke e bërë median në rastin më të mirë instrument dhe në rastin më të keq palë të keqinformimit dhe dezinformimit.

Kjo tregon për rëndësinë e medias në çështje të rëndësishme kombëtare dhe problematikat që lidhen me “pushtetin e katërt”. Me hapjen e negociatave, media në vetvete do të duhet të pësojë ndryshime, si në ligj ashtu edhe në etikë, standarte këto të detajuara në 35 kapitujt që BE-ja ka për të gjitha vendet kandidate që aspirojnë familjen evropiane.

SHQIPËRIA, PREJ VITESH ASNJË PËRMIRËSIM NË LIRINË E MEDIAS

E renditur në vendin e 96-të në botë sa i përket lirisë së medias për vitin 2023, Shqipëria vijon të cilësohet si një vend me liri të kufizuar të medias dhe shprehjes, ndërsa situata nuk paraqitet aspak optimiste për këtë vit ku shihet një shtim i dhunës dhe intimidimit ndaj gazetarëve.

Skena mediatike e Shqipërisë nga korriku i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2023 përfshiu një varg ngjarjesh të trazuara dhe shqetësuese për gazetarinë dhe lirinë e shtypit në Shqipëri. Ndalimi i një gazetari në konferencat e shtypit të qeverisë për shkelje etike pasuar nga sulmet fizike ndaj gazetarëve, deri te ngjarjet tragjike si humbja e jetës së një roje sigurie në një media kombëtare private, solli një reagim të fortë jo vetëm në nivel lokal, por edhe nga autoritetet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare mbikqyrëse të mediave.

Sipas raport-progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023, shqetësuese për peisazhin tonë mediatik mbetet ndërthurja e interesave të politikës dhe biznesit me median tradicionale dhe atë online, mungesën e transparencës për burimin e financimit të tyre si dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët.

“Grupet e fuqishme të biznesit e rritën më tej depërtimin e tyre në tregun mediatik gjatë vitit 2023,”- thuhet në raportin e progresit.

Blerjana Bino, anëtare e “Safe Journalist Network” në Shqipëri, shpreh shqetësimin se liria e medias dhe siguria e gazetarëve në vend po ballafaqohen me sfida të vazhdueshme, duke ndikuar negativisht në autonominë e gazetarëve për të kryer punën e tyre.

“Pavarësisht garancive që përcaktohen në Kushtetutë për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, vështirësitë strukturore vazhdojnë të bëhen pengesë që mediat të jenë të afta për të vepruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur. Pronësia e medias mbetet e përqendruar në pak duar dhe interesat e fuqishme ekonomike dhe politike ushtrojnë kontroll tejet të madh në mjedisin e mediave. Kjo ka sjell si rezultat një numër të kufizuar zërash, mungesë të transparencës dhe rënie të besimit tek media”.

Për avokatin Dorian Matlija, vendi ynë i ka instrumentat për të rregulluar problemtatikat kyçe që kanë mbërthyer lirinë e medias, siç është përqëndrimi i pronësisë së saj në duart e pak biznesmenëve.

“Kjo është mundur sepse ka institucione që merren me konkurencën, Autoriteti i Konkurencës. I gjithë ligji që punon ky Autoritet që nuk është vetëm për mediat, ka parashikuar mënyra se si të shmangen kontrollet horizontale, vertikale e të tjera gjëra të cilat nëse vazhdon procesi i anëtarësimit do të forcohen si instrumente. Praktikisht kjo do të ndikojë edhe te media, por jo vetëm. Këtu, në shqipëri mund të vendosen rregulla të tillë si psh, një pronar i një media me licensë kombëtarë mos të ketë të drejtën të ushtrojë asnjë lloj biznesi tjetër”, shprehet Matlija.

Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë edhe një problematikë tjetër që lidhet me numrin e madh të medieve online që operojnë në Shqipëri, dhe mbi të gjitha mungesa e një kuadri ligjor apo rregullimi i këtij tregu, i cili po kthehet gjithnjë e më tepër në burim kryesor informacioni. Sipas Këshilli Evropian, në Shqipëri janë rreth 800 media online, ku pjesa më e madhe e tyre janë të paregjistruara dhe nuk ka informacion në lidhje me pronësinë e tyre, financimin, numrin e punonjësve.

Në një treg të tillë kaotik, një nga pasojat e dëmshme të shkaktuara është edhe ulja e kredibilitetit ndaj medias dhe gazetarëve, të cilët të nxitur edhe nga retorika e politikanëve, e shohin median si përçues të lajmeve të rreme dhe të pavërteta.

“Fakti që ka shumë media online, ashtu siç unë mendoj që në Shqipëri kemi një numër më të madh mediash audiovizive sesa një vend me një popullsi të tillë dhe me një treg të tillë ekonomik mund të mbaj, sigurisht që lidhen shumë dyshime për interesat që mund të kenë përtej dhe modelin financiar të mediave dhe si ato mbijetojnë. Kjo ka sjellë që shumë nga këto media të kenë një numër shumë të vogël të punësuarish dhe ndonjëherë të bazohen kryesisht në copy-paste”, shprehet Kristina Voko Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Albania.

Ndërsa drejtuesi i qendrës Res Publica, Dorian Matlija shprehet skeptik duke thënë se sipas tij, tregu ynë mediatik mund të mos jetë gati për standartet ndërkombëtare dhe përgjegjësitë që ato sjellin.

“Nëse do të rregullohej aktiviteti i portaleve online që është i parregulluar, çdo tentative për ta rregulluar këtë lloj gjëje, qoftë edhe sipas rregullave që kërkon BE, komuniteti nuk do të ishte gati. Duan më tepër liri siç është tani, sesa në një mënyrë më të kontrolluar siç e kërkon BE”,  nënvizon Matlija.

PROCESI I NEGOCIATAVE, NDIKIMI NË PEISAZHIN MEDIATIK

Ashtu siç ka ndodhur me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, hapja e negociatave është vetëm stacioni i radhës, i cili pritet të zgjasë të paktën një dekadë. Kjo do të varet mbi të gjitha nga shpejtësia me të cilën autoritetet shqiptare do të punojnë për përafrimin e legjislacionit (EU acquis) dhe standarteve ndërkombëtare.

Konkretisht, për të treguar rëndësinë që këto standarde kanë për aspiratën në BE, liria e medias, zhvillimi i saj si dhe transparenca e aksesi në informacion, janë pjesë e seksionit të parë (cluster) gjatë procesit të negociatave me vendin tonë.

Duke parë rëndësinë që do të ketë roli i medias dhe zhvillimi i saj në këtë drejtim, qeveria shqiptare duket se ka iniciuar punën përgatitore duke ia ngarkuar përgjegjësinë për hartimin e një strategjie për lirinë e medias, Ministrisë së Drejtësisë. Ky institucion ka dalë me një udhërrëfyes i titulluar “Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës – Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, ku mes të tjerave janë listuar prioritetet kyçe që qeveria shqiptare kërkon të çojë përpara së bashku me komunitetin e medias, sa i përket zhvillimit të medias dhe lirisë së shprehjes.

Aktualisht Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” përbëhet nga 48 anëtarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, botës akademike, biznesit, ekspertë të drejtës evropiane, përfaqësues të pushtetit vendor, që kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesëmarrës”, shkruan për ACQJ Adea Pirdeni, zëvendësministër i Drejtësisë.

Ky udhërrëfyes qëndroi i afishuar në faqen e konsultimeve publike përgjatë muajit tetor 2023, ku shihet se për këtë çështje është afishuar vetëm një koment nga shoqëria civile.

Deri tani nuk kemi pasur kërkesa për pjesëmarrje akive në platformë nga aktorë të medias.

Megjithatë, organizatat e medias kanë qënë të përfshira në procesin e hartimit të këtij projekt dokumenti, dhe njëra prej tyre ka paraqitur komente me shkrim për përmbajtjen e tij, të cilat janë marrë në konsideratë gjatë procesit të rishikimit”, thekson Pirdeni.

“Safe Journalists Network” ka reaguar zyrtarisht në lidhje me Udhërrëfyesin e Ministrisë së Drejtësisë duke përshëndetur inicitativën, por duke shprehur rezervat në lidhje me qellimet e listuara dhe mungesës së informacionit se si këto qëllime do të arrihen.

“Ne kemi kërkuar që në Udhërrëfyes të përfshihen masa për adresimin e shqetësimeve të zgjedhjes bipartizane të organeve drejtuese të AMA-s dhe RTSH-së; shqetësimin lidhur me përqëndrimin e informacionit tek Agjencia për Media dhe Informim; dialog të strukturuar me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare etj” shprehet Blerjana Bino.

Nëse i përmbahemi standarteve të BE dhe praktikavë më të mira ndërkombëtare, rol kryesor në peisazhin mediatik do të duhet të marrë edhe televizioni publik RTSH dhe mbi të gjitha rregullatori i medias Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Kjo e fundit duket se ka nisur të hedhë hapat e parë drejt kësaj rruge, duke bërë që në pranverën e këtij viti të miratohen nga Parlamenti, ndryshimet ligjore në ligjin për median. Këto ndryshime, edhe pse nuk prekin çështjet më delikate, janë implementim i pjesshëm i Direktivës Evropiane 2018 për vendet anëtare dhe ato aspirante.

ODISEA MEDIATIKE E SHQIPËRISË DREJT ANËTARËSIMIT NË BE

Media luan një rol jetik në nxitjen e angazhimit qytetar duke u ofruar qytetarëve informacion të larmishëm dhe të saktë. Për të kuptuar se sa larg jemi këtij realiteti mjafton të shkojmë pas pak në kohë në vitin 2018, kur ekranet dhe portalet në Shqipëri raportonin nëse ishin hapur ose jo negociatat. E gjitha lindi pasi Kryeministri Edi Rama vendosi të dekorojë në një ceremoni ambasadorët shqiptarët në vendet e BE-së për kontributin që ato kishin dhënë në hapjen e negociatave. Ndërsa nga ana tjetër nuk kishte ende asnjë sinjal konfirmimi nga Brukseli se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Por kjo pak rëndësi kishte për politikën në vend, e cila me ndikimin e fortë që ka, orientoi median dhe diskursin publik drejt pyetjes nëse ishin hapur apo jo negociatat, duke e kushtëzuar median që të mos kërkonte përgjigjen, por të mbante publikun të mbërthyer pas ekranit dhe deklaratave të liderëve politikë.

Situata do të përshkallëzohej më tej në vitet që pasuan, duke e shndërruar retorikën nga fakti që negociatat nuk dihej nëse ishin hapur ose jo tek fakti që Bashkimi Evropian ka probleme të tjera të vetat më të mëdha se sa anëtarësimi i vendit tonë.

SFIDAT E GAZETARËVE

Gazetarja investigative, Esmeralda Keta identifikon vështirësitë që has gazetaria në vend. Ajo shpreh shqetësimin në lidhje me ndërhyrjen e politikës dhe centralizimin e informacionit, duke e vështirësuar procesin e gjetjes dhe raportimit të informacionit nga gazetarët.

Ndërhyrja e politikës dhe centralizimi i informacionit nga Agjencia për Media dhe Informim e kanë bërë gati të pamundur marrjen e informacionit të kërkuar, duke e vështirësuar punën e gazetarëve në vendin tonë. Nga ana tjetër edhe komisioneri për të drejtën e Informimit jo vetëm ka vështirësuar procedurat e ankimimit për gazetarët, por edhe e zvarrit shqyrtimin e tyre duke sjellë që gazetarët të mos kenë interes për ti ndjekur deri në fund, pasi vonesat ndonjëherë e bëjnë të pavlerë përgjigjen e kërkuar”, tregon Esmeralda Keta.

Teksa rendit sfidat me të cilat përballen më së shumti gazetarët, ajo ndalet te pagat e ulëta si dhe vonesat në pagesë.

Duke qenë të dobët financiarisht, as gazetaria që ato prodhojnë nuk mund të pretendohet të jetë cilësore. Kjo i bën ato të varur ndaj tekave të drejtuesve dhe shpeshherë bien në autocensurë. Për shkak të pasigurive financiare, por edhe mugesës së promovimit në karrierë, gazetaria po braktiset masivisht”.

Rëndësia e medias shfaqet në rolin e saj për të informuar dhe edukuar opinionin publik. Megjithatë, për të arritur këtë, është e nevojshme të adresohen problemet strukturore të medias, përfshirë ndërthurjen e interesave politike dhe biznesit, kushtet e vështira të punës për gazetarët, dhe ndikimin e politikës editoriale në përhapjen e informacionit. Hapja e negociatave me BE pritet të sjellë një fushatë për ndryshime në ligj dhe etikë në mediat shqiptare, të nevojshme për të përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian.

Tags: No tags