Pershkrimi i projektit:
Problemi kryesor që projekti synon të adresojë është mungesa e dialogut dhe e mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve etnike të ndryshme në Kosovë, veçanërisht në mes të rinjve shqiptarë dhe serbë. Kjo mungesë bashkëpunimi dhe dialogu ka kontribuar në kultivimin e paragjykimeve etnike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi dhe thellohen më tej nga narrativa nacionaliste që propagandohen në komunitete të ndryshme. Për pasojë, të rinjtë shpesh janë të prirur ndaj “ndërgjegjes monoetnike” dhe janë më të ekspozuar ndaj nacionalizmit dhe dhunës si rrjedhojë e këtyre tensioneve.
Projekti i propozuar përmes aktiviteteve të Akademisë së Paqes dhe Sesioneve Edukative synon të trajtojë këto sfida përmes një qasjeje të drejtpërdrejtë, duke ofruar mundësi për të rinjtë nga komunitete të ndryshme që të angazhohen në dialog ndërkulturor dhe të mësojnë rreth drejtësisë tranzicionale dhe procesit të pajtimit. Përveç kësaj, projekti synon të trajnojë punonjës të OJQ-ve, psikologë, mësues për të zhvilluar aftësitë e tyre si facilitatorë të këtyre aktiviteteve, duke siguruar një qasje të qëndrueshme dhe të mirëkoordinuar për paqen në Kosovë.
Objektivat:
- Rritja e kapaciteteve të trajnerëve dhe facilitatorëve – Trajnimi i 15 profesionistëve (punonjës të OJQ-ve, psikologë, mësues, punonjës socialë) për të lehtësuar aktivitete edukative për paqen dhe pajtimin ndërmjet të rinjve nga komunitetet etnike të ndryshme në Kosovë.
- Promovimi i dialogut ndërkulturor dhe edukimit për paqe – Zhvillimi i sesioneve edukative me nxënës të shkollave të mesme në zonat multietnike dhe rurale për të sfiduar stereotipet dhe për të promovuar drejtësinë tranzicionale dhe përballjen me të kaluarën.
- Rritja e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së komuniteteve lokale – Përfshirja e qeverisjes lokale dhe qendrore, si dhe shkollave, për të siguruar mbështetje institucionale për nisma që promovojnë pajtimin dhe kohezionin social.
- Reduktimi i ndikimit të narrativave nacionaliste ndërmjet të rinjve – Zvogëlimi i rrezikut që të rinjtë të përqafojnë dhunën dhe radikalizimin përmes nxitjes së diskutimeve konstruktive dhe edukimit joformal për paqen.
Perfituesit:
Të rinjët në Republikën e Kosovës, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktivistët, OSHC-të, pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, institucionet qendrore dhe lokale, si dhe publiku i gjerë.
Aktivitetet kryesore:
- 15 pjesëmarrës do të trajnohen dhe certifikohen për të zhvilluar dhe lehtësuar aktivitete që adresojnë drejtësinë tranzicionale, dialogun ndërkulturor dhe transformimin e konflikteve ndërmjet të rinjve nga komunitete të ndryshme etnike.
- Përmirësimi i dialogut ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë në Kosovë
- Rritja e ndërgjegjësimit për drejtësinë tranzicionale dhe përballjen me të kaluarën
- Zhvillimi i bashkëpunimit me shkollat dhe qeverisjen lokale
- Reduktimi i rrezikut të radikalizimit dhe dhunës ndërmjet të rinjve
- Krijimi i një modeli të qëndrueshëm për edukimin joformal
